Mashtronte duke marrë shuma të mëdha parash, arrestohet 44-vjeçari! Ja “skema” që përdorte

SARANDË– Një 44-vjeçar është arrestuar ditën e sotme nga Policia e Sarandës pasi kërkonte përfitonte një shumë parash duke mashtruar shtetas të tjerë.

Policia, pas kallëzimit të një qytetari se një shtetas kërkonte t’u merrte, me anë të mashtrimit, një shumë parash disa të tjerëve, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Përfitimi”, në kuadër të të cilit bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit:

– E. Ç., 44-vjeç, lindur dhe banues në Delvinë, për veprën penale “Mashtrimi”, i cili u kap në momentin që do merrte shumën e lekëve nga personat që kishte mashtruar.

Nga veprimet hetimore rezulton se shtetasi E. Ç., kërkonte të përfitonte me anë të mashtrimit, shumën prej 200.000 lekësh të rinj, nga familjarët e shtetasve K. R. dhe E. (A.) R., me pretendimin se 44-vjeçari kishte ndikuar në vendimin e dhënë nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për t’i proceduar në gjendje të lirë shtetasit K. R., 34-vjeç dhe E. (A.) R., 39-vjeç.

Shterasit K. R., 34-vjeç dhe E. (A.) R., 39-vjeç, më datë 08.05.2022, në Delvinë, dyshohet se kanë ushtruar dhunë fizike ndaj 2 punonjësve të ujësjellësit dhe më pas u kanë dëmtuar edhe automjetin e ujësjellësit që kishin në përdorim.

Si rezultat i këtij operacioni u sekuestrua në cilësinë e provës materiale shuma prej 200.000 lekësh të rinj, një celular dhe një automjet.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprime të mëtejshme.