
TIRANË – Ish-kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka organizuar sot mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratik, mbështetësit e tij.
Berisha hodhi akuza ndaj qeverisë, duke thënë se ajo është e lidhur me krimin. Sipas tij dëshmitë e Nuredin Dumanit në SPAK, do ta vërtetojnë qëndrimin e shtetit mafioz.
Sipas Berishës, funksionarët më të lartë shtetëror janë skllevër të krimit.
“Kjo është një mbledhje në të cilën ne do të zgjedhim drejtuesit më kryesorë, nënkryetarët dhe sekretarët, por unë mendoj se procedurat nuk duhet të na pengojnë për të parë realitetin dramatik shqiptar. Pasi sot zhvillimet tejkalojnë çfarëdo lloj imagjinate, sot Shqipëria është tërësisht në duart e krimit, vetëm ngjarjet e javës së fundit tregojnë se në Shkodër, krimi dhe policia janë një. Ndërkohë dëshmitë e Dumanit, vrasësit serial të bandave të qeverisë të cilat do të bëhen publike, faktojnë lidhjet e këtyre bandave në nivelet më të larta të kësaj qeverisjeje. Faktojnë dominimin mbi shtetin mafioz, të kryqëzuara me të dhënat e prokurorive të vendeve të Beneluksit, rezulton se funksionarët më të lartë shtetëror janë skllevër të krimit. Ndërkohë ju e shihni se në mënyrë të papërmbajtur, shqiptarët shkasin çdo ditë e më thellë në varfëri dhe mjerim. Vetëm dy muajt e fundit qeveria e Edi Ramës ka grabitur nëpërmjet bordeve 300 milionë euro nga xhepat e qytetarëve shqiptarë”, tha Berisha.