
TIRANË – Kryeministri Edi Rama ka treguar se kandidat për president nga Partia Socialiste do të jetë Bajram Bega.
Deklaratën Rama e bëri për gazetarët në momentin kur doli nga ambientet e selisë Rozë. Bega është me detyrë Shef i Shtabit të Përgjithshëm. Sipas Ramës, zgjedhja e tij është bërë me propozimin më të madh nga anëtarët e grupit parlamentar të PS.
Ai ka treguar se vetë nuk ka qenë një propozues i tij, por ka shtuar se Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, është personi më i nevojshëm për të cilin zyra e presidentit ka nevojë.
Rama: Sepse është shëmbëlltyra e ati normaliteti, e asaj qytetarie, e sensit të shërbimit ndaj vendit dhe njerëzve të këtij vendi për të cilin ajo zyrë ka një nevojë urgjente. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm është një nga kandidaturat e propozuara nga Grupi Parlamentar i PS. Unë nuk kam qenë ndër propozuesit dhe më vjen shumë mirë që diskutimi i sotëm i kryesisë ishte një diskutim i hapur me shumë debat në një frymë shumë pozitive dhe me shumë sens përgjegjësit, gjë për të cilën kemi shumë nevojë në mbledhjet tona të brendshme. Më vjen shumë mirë që një pjesë e kolegëve të kryesisë janë zhgënjyer pozitivisht. Ne do të zgjedhim Presidentin e Shqipërisë në seancën e ardhshme dhe jemi të qetë që kemi kaluar në një proces ku ne e kemi dhënë disponilitetin tonë të plotë.