
TIRANË – Në raundin e katërt për propozimet për presidentin e ri të vendit, kryeministri Edi Rama ka bërë publik edhe kandidatin e vendosur nga Partia Socialiste për këtë post.
Në një deklaratë për mediet në dalje të selisë Rozë, Rama tha se kandidat i PS për këtë post do të jetë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura , Bajram Begaj.
Tashmë ajo që pritet është kalimi i emrit të tij në Parlament për votim, ku duhet theksuar se duke qenë se jemi në raundin e katërt të zgjedhjes së presidentit, ai do të përzgjidhet me shumicë të cilësuar votash, 71 të tilla.
Duket se Begaj do të jetë presidenti i vendit për 5 vitet e ardhshme, pasi maxhoranca e ka numrin e nevojshëm të votave.
Bajram Begaj ka lindur më 20 Mars 1967, ai është një oficer ushtarak shqiptar, i cili po shërben si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare.
Në vitin 2020, Bajram Begaj mori rolin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare.
Ai më parë ka shërbyer si Komandant i Komandës së Trajnimit dhe Doktrinës, Shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake, Drejtor i Inspektoratit Shëndetësor dhe Kryeinspektor dhe Këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Armatosur Shqiptare.