
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur disa ditëm më parë në Spanjë, ku një 32-vjeçare shqiptare ka vrarë fëmijën e saj dy-vjeçar dhe ka lënduar binjakun e tij.
Sipas asaj që ka transmetuar ‘ABC News’ referuar mediave spanjolle, bëhet fjalë për shtetasen 32-vjeçare Hatixhe Kamxhiu. Ajo kishte ushtruar dhunë ndaj të vegjëlve të saj, duke bërë që njëri të ndërrojë jetë ndërsa tjetri të mbetet i lënduar.
Në deklaratën që shqiptarja ka dhënë në Polici, ka pohuar se fëmija i saj kishte rënë nga karrigia e për pasojë kishte ndërruar jetë. Por pas provave të siguruara nga Policia, ishte konstatuar se i mituri kishte shenja dhune në trup.
Gjithashtu dhuna që pasqyrohej edhe te i mitur binjak, bëri që dyshimet e policisë të kanalizoheshin në një vrasje.
Në media është transmetuar se ditën pas krimit, 32-vjeçarja kishte postuar në Facebook një shirit të zi për vdekjen e të voglit të saj, ku miq të shumtë i kishin shprehur ngushëllimet.
Nga aksidenti në vrasje
Nëna e të vegjëlve, Hatixhe Kamxhiu , ka telefonuar në numrin e telefonit të urgjencës më 11 qershor nga Bigastro për të paralajmëruar aksidentin e supozuar që kishte pësuar një nga fëmijët e saj, teksa ishte vetëm me ta në shtëpi.
Policia përveç trupit të pajetë të 2-vjeçarit, konstatoi se në shtëpi ndodhej edhe binjaku i tij, i cili gjithashtu kishte shenja dhune.
Fëmija i mbijetuar u transferua në Spitalin e Përgjithshëm të Alicantes , ku u krye një studim i detajuar i dëmtimeve që ai kishte. Hatixhe nuk kishte precedentë penalë, por më parë kishte humbur kujdestarinë e të miturve për shkak të varësisë nga droga .
Deklaratat e fqinjëve
Të gjithë në Bigastro e kujtojnë si një grua të vetmuar me pak miq.
“Ajo ishte gjithmonë shumë nervoze , duke qortuar fëmijët e saj për gjithçka”, thotë një fqinj, i cili gjithashtu ka fëmijë të vegjël dhe kujton se Hatixhen e shihte në park me binjakët e saj.
Madje, ka dëshmi që tregojnë se vajza e madhe e Hatixhes tregonte se ajo flinte gjithmonë me njërin prej djemve binjakë, pasi ai ishte “i preferuari” i saj.
“Një ditë i thashë të mos i qortojë kështu fëmijët”, shpjegon një nga fqinjët.
“Më tha që natën që të mos bënin zhurmë, i mbështillte fort mes çarçafëve, duke i goditur në trup që të mos lëviznin ”, shpjegon ai.
Po ashtu mediat spanjolle shkruajnë se nëna e binjakëve kishte pasur disa marrëdhënie sentimentale që kur mbërriti në qytet, por askush nuk e dinte se kush ishte babai i fëmijëve.
Tashme Hatixhe Kamxhiu është në duart e drejtësisë dhe akuzohet për veprën penale të vrasjes së të miturit dhe lëndimin e vëllait të tij binjak.

