
BERAT – Policia e Beratit ka ndërmarrë sot një aksion të madh në të gjithë territorin e qarkut, për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të lëndëve narkotike.
Nga njoftimi për mediet, 103 efektivë policie, të cilët kanë qenë të mbështetur edhe nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Fierit, kanë zhvilluar kontrolle në të gjithë zonën në ambiente të ndryshme.
Nga kontrollet e zhvilluara në ambiente të hapura, sera, tunele, banesa të braktisura, magazina të ndryshme, nuk është konstatuar asnjë rast i kultivimit të lëndëve narkotike. Policia ka njoftuar se aksioni do të vijojë edhe në ditët e ardhshme.
Njoftimi i Policisë:
Berat
Kontroll masiv në të gjithë territorin e DVP Berat, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.
103 efektivë policie, me mbështetje edhe të FNSH Fier, gjatë paradites së sotme, kanë ushtruar kontroll masiv në territor, me qëllim goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike.
20 grupet e kontrollit të ngritura në të gjithë Qarkun, kanë ushtruar kontrolle në ambiente të hapura, sera, tunele, banesa të braktisura, magazina të ndryshme etj.
Gjatë kontrolleve të territorit dhe ambienteve, deri tani nuk është konstatuar ndonjë rast i kultivimit të bimëve narkotike.
Kontrolli i territorit do të vijojë edhe në ditët e ardhshme në të gjithë qarkun Berat në përmbushje të prioritetit kryesor, parandalimit të kultivimit të bimëve narkotike.