
TIRANË – Ka reaguar gazetari Elton Qyno pas urdhrit të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në lidhje me publikimin në media të dëshmive të të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani.
Nga ‘Ora News’, Qyno ka thënë se është njohur me kërkesën e SPAK, duke shtuar se fillimisht i është ofruar si mundësi bashkëpunimi, duke i kërkuar që të ndalonte me nxjerrjen e dëshmive.
“Sipas analizës së tyre unë kisha kaluar cakun e informacionit, publikimit të detajeve të rasteve, takimeve që kishte kryer Nuredin Dumani. Nuk e kam parë si formë presioni nga SPAK por ma kërkuan fillimisht si bashkëpunim që ta stopoja por duke proceduar dhe nga ana proceduriale dhe ligjore”, ka thënë gazetari në Ora News.
Qyno: Ka qenë një ftesë që më është komunikuar në telefon, me 14 qershor. Kam refuzuar të shkoj me datë 14 dhe 15 pasi nuk më kanë dhënë sqarime dhe kam shkuar me 16 qershor. Vonesa nuk ishte vetëm, për faktin nëse duhej apo nuk duhej të shkoja në SPAK për tu njohur me udhëzimet por dhe për shkak të agjendës time. Jam njohur me urdhrin, kishte nisur një hetim për nxjerrje sekreti hetimor dhe për ti vënë kapak vijimit të publikimeve të mia në Ora News ishte marrë një urdhër për të bllokuar këto publikime.
Sipas analizës së tyre unë kisha kaluar cakun e informacionit, publikimit të detajeve të rasteve, takimeve që kishte kryer Nuredin Dumani. Nuk e kam parë si formë presioni nga SPAK por ma kërkuan fillimisht si bashkëpunim që ta stopoja por duke proceduar dhe nga ana proceduriale dhe ligjore.
Teksa është ndalur tek urdhri i SPAK, Qyno tha se ai nuk i drejtohej një media ose gazetari në veçanti, por më pas ka kaluar në personalizim pasi sipas tij, hetuesit e dinin informacionin që dispononte gazetari.
Qyno: Urdhri ishte i thatë, nuk më referohej vetëm mua dhe asnjë media apo gazetari në Shqipëri. E kam firmosur se më është kërkuar. Hetuesit kishin dijeni se unë e kisha këtë dëshmi ndaj më thirrën dhe thanë stopo.
Ai ka shtuar se nuk i druhej një arrestimi, pasi SPAK nuk ka si synim arrestimin e gazetraëve, por punonjësve të Gjykatës, të cilët dyshohet se bërë edhe nxjerrjen e informacionit të karakterizuar sekret, nga dëshmitë e Dumanit.
Qyno: Nuk kam frikë se më arrestojnë dhe as SPAK nuk kërkon të më arrestojë mua sepse nuk ka çfarë më do. Atje ka një hetim për nxjerrje sekreti hetimor dhe hetimi nuk ka objekt gazetarët por vetë punonjësit e SPAK dhe gjykatës që kanë nxjerrë informacionin që ne kemi publikuar. Kjo më është bërë me dije atë ditë. Por unë do bëhem objekt i procedimit penal nëse publikojmë dëshmi të tjera të Nuredin Dumanit.
Teksa është pyetur se pse SPAK i druhej nxjerrjes së dëshmive të Dumanit, Qyno ka thënë se operacioni ‘Plumbi i Artë’ që çoi në pranga Dumanin, është vetëm maja e ajsbergut. Ai paralajmëroi një valë tjetër arrestimesh.
Qyno: Dumani u arrestua me 29 mars. Me 30 mars i është ofruar statusi i bashkëpunëtorit të drejtësisë Henrik Hoxhës, ai ka lidhur një marrëveshje me prokurorin e Elbasanit Kreshnik Ajazi dhe më pas ka deklaruar gjithë aktivitetin kriminal që kishte kryer dhe dinte, prokurori e ka parë se nuk kemi të bëjmë vetëm me një rast goditjesh mes grupeve kriminale në Elbasan por një gamë më të gjerë të aktivitetit kriminal në disa qytete ka shpallur kompetencën dhe e ka referuar në SPAK.
Në Ora Neës kam publikuar në 11 prill pendimin e Nuredin Dumanit. Informacionin e kisha nga dy burime. Kam kontaktuar prokurorin e çështjes dhe nuk e ka pranuar. Me 18 prill kam publikuar një lajm tjetër.
SPAK ka reaguar duke deklaruar se nuk ka pasur asnjë bashkëpunim apo pendim të tyre për të treguar krimet. Por në 18 maj ndodhi operacioni “Plumbi i Artë” ku SPAK pranoi se kishte bashkëpunuar Dumani dhe për shkak të dëshmisë së tij ishin lëshuar 32 masa arresti. Njerëzit kryesorë të këtyre grupeve kriminale u shpallën në kërkim, ku e dinin këta se emrat e tyre ishin përmendur nga Dumani dhe SPAK kishte një procedim penal ndaj tyre?
Rrjedhja e informacionit ka ceduar që nga momenti kur është penduar Henrik Hoxhaj, 30 mars 2022. “Plumbi i Artë” është vetëm maja e ajsbergut, besoj se dhe në ditët në vazhdim do të ketë arrestime të tjera. Një valë e dytë arrestimesh është duke u përgatitur.”, tha gazetari.