
LEZHË – Detaje të reja kanë dalë në lidhje me 21-vjeçarin Aldi Rama, i cili në datën 29 shtator 2021 tronditi vendin duke vrarë në Lezhë efektivin e Policisë, Saimir Hoxha.
Në një informacion të transmetuar nga ‘Albeu’, 21-vjeçari thuhet se ka qenë më parë se të kryente ngjarjen në komisariat, ku edhe është dhunuar fizikisht nga punonjësit e institucionit. Ndër të tjera, mësohet se Polici që ka ushtruar dhunë ndaj 21-vjeçarit është Myrteza Mehmetaj, për të cilin është hapur një dosje hetimore në Prokurorinë e Lezhës.
Sipas dosjes, Mehmetaj po hetohet për “Kryerjes së veprimeve arbitrare”, dhe çështja është marrë në shqyrtim nga prokurori Françesk Ganaj. I pandehuri më parë ka qenë me shërbim në Komisariatin e Lezhës, ndërkohë që tashmë është transferuar dhe punon si specialist në policinë e Burgjeve, pranë burgut të Fushë-Krujës.
“Gjatë kohës kur Mehmetaj ka qenë me detyrë oficer policie në komisariatin e Lezhës dhe gjatë kohës së procedurave të arrestimit të Aldi Ramës, ka ushtruar dhunë fizike ndaj këtij të fundit. Rasti është ndjekur nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, të cilët në atë periudhë kërkuan kryerjen e një ekspertimi mjeko-ligjor ndaj 21-vjeçarit Aldi Rama. Në raportin e ekspertimit, mjekët konstatuan se dëmtimet në trup Rama, i ka pasur si pasojë e dhunës së ushtruar në ambjentet e brendshme të komisariatit Lezhë”, shkruhet në dosje.
Në lidhje me këtë ngjarje, Aldi Rama akuzonte tre efektivë Policie, por emrat e tyre nuk u bënë kurrë të ditur.
Kujtojmë që 21-vjeçari në datën 29 shtator të vitit të shkuar, qëlloi me armë dhe i mori jetën Saimir Hoxhës, efektiv Policie i cili vdiq në një aksion antikanabis. Më pas në kërkim të Ramës u vendosën forcat RENEA, dhe ai u gjet me një plumb në kokë pas disa orësh kërkime.
Fatkeqësisht ai nuk mundi t’i mbijetonte plagëve, duke ndërruar jetë në Spitalin e Traumës. Ndërkohë që ngjarja u karakterizua si vetëvrasje.