
TIRANË – Sot në Bruksel u zhvillua Samiti i Vendeve të Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku çështja kryesore që u diskutua ishte hapja e negociatave të integrimit në BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Në samit morë pjesë edhe liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, mes tyre Kryeministri Edi Rama dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski. Pavarësisht bisedimeve, dy vendet nuk morën një përgjigje pozitive për hapjen e negociatave, dhe as një datë konkrete.
Në lidhje me këtë ka ardhur edhe reagimi i ‘Rithemelimit’, të cilët nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, kanë shprehur hidhërimin e ‘JO-së’ së marrë sot.
Sipas tyre faji është i kryeministrit Edi Rama, i cili gjithmonë drejton gishtin nga të tjerët, por asnjëherë nga vetja e tij. Në përfundim të reagimit, ‘Rithemelimi’ ka bërë edhe një thirrje tjetër për tu bashkuar në protestën e 7 korrikut.
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ANËTARI I KRYESISË, ALDO BUMÇI
Partia Demokratike shpreh keqardhjen më të thellë për JO-në e marrë sot në Bruksel.
Shqipërisë nuk do t’i çelen negociatat.
Shqipëtarët do të vazhdojnë të presin.
Rama, si përherë, e drejton gishtin nga të tjerët, por ai gisht po u futet në sy shqiptarëve.
Njëherë e ka fajin Europa, pastaj Maqedonia dhe tani Bullgaria.
Gishti i fajit nuk drejtohet kurrë nga vetja.
Shqiptarët e dinë dhe nuk presin integrimin e qeverisë, por zgjedhin mërgimin.
Kjo nuk është zgjedhje e lirë, është britma e pamundësisë.
Por, as zgjidhje nuk mund të jetë.
Ka vetëm një zgjidhje: të largohen ata që e kanë dorën në xhepin dhe gishtin në syrin e popullit.
Bashkojuni Partisë Demokatike dhe Shoqërisë Civile të lirë më 7 korrik.
#Shqipëria në rrezik