
DIBËR – Hapja e Rrugës së Arbrit në muajin nëntor të vitit të shkuar ka sjellë mjaft lehtësira për banorët e Dibrës, pasi distanca me kryeqytetin është shkurtuar ndjeshëm.
Por ka edhe nga ata të cilët ndërtimi i rrugës i ka bërë të ndihen të rrezikuar. Bëhet fjalë për banorët e fshatrave Shkallë, Xibër e Murrizë, në të cilët ky aks kalon mespërmes zonave të banuara.
Për ‘MatTv’ ata kanë shprehur shqetësimin e tyre, duke kërkuar ndërtimin e hapësirave të cilat do të dedikohen për lëvizjen e këmbësorëve. Ata kanë kërkuar ndërtimin e mbi dhe nënkalimeve, si dhe trotuareve të cilët duhet të jenë të mbrojtur me barriera.
Banorët kanë kërkuar që kjo kërkesë e tyre t’i plotësohet brenda afatit që në ndërtimin e këtij aksi ka përsëri punime. Ata janë shprehur se janë të detyruar që të kalojnë në anët e rrugës, dhe frika më e madhe është e fëmijëve të cilët duhet t’i dërgojnë në shkollën e mesme në Xibër.