
DIVJAKË– Kontrolle masive janë ushtruar ditën e djeshme nga Policia e Divjakës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.
80 efektivë policie të Komisariatit të Policisë Divjakë, të DVP Fier dhe të FNSH Fier, gjatë ditës së djeshme, kanë ushtruar kontroll masiv në territor, me qëllim goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike.
12 grupet e kontrollit të ngritura në Divjakë, kanë ushtruar kontrolle në 264 sera, minisera, banesa të braktisura, magazina të ndryshme, ambiente të hapura etj.
Gjatë kontrolleve të territorit dhe ambienteve, nuk u konstatua ndonjë rast i kultivimit të bimëve narkotike.
Kontrolli i territorit do të vijojë çdo ditë në të gjithë qarkun Fier, në përmbushje të prioritetit kryesor, parandalimit të kultivimit të bimëve narkotike.