
TIRANË – Taulant Balla kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ka dhënë sot lajmin e mirë të dakortësimit mes 27-vendeve të Bashkimit Evropian, për mbajtjen javën që vjen të në konference ndërqeveritare mes vendit tonë dhe Maqedonisë së Veriut.
Balla lajmin e bëri të ditur teksa mori fjalën në seancën parlamentare që u mbajt sot.
Teksa në datën 7 korrik pritet të mbahet protesta e thërritur nga ish-kryeministri Sali Berisha, Balla ka thumbuar duke thënë se ata që duan të protestojnë e kanë me shqiptarët, dhe jo me qeverinë.
Balla: Kërkova fjalën për të ndarë një lajm të rëndësishëm sa i përket rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në BE që ka të bëjë me faktin se ka një dakordësi të plotë mes 27 vendeve anëtare të BE për të mbajtur javën e ardhshme Konferencën e Parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE. Është një moment i rëndësishëm, kjo pas komunikimeve të disa orësh të parlamenteve anëtare. Sapo është larguar edhe ambasadori i Çekisë me të cilin pata mundësinë të zhvilloj një komunikim. Dakordësia politike tashmë është arritur dhe mbajtja e Konferencës Ndërqeveritare tashmë javën e ardhshme është fakt. Fillimi i bisedimeve është një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët. Ata që javën e ardhshme duan të protestojnë nuk e kanë me ne, e kanë me shqiptarët.