
DURRËS – Mario Musaku, autori i pengmarrjes së 30-vjeçares nga Durrësi Ersida Dyrmyshi, është lënë në masën e sigurisë ‘arrest me burg’ nga Gjykata e Durrësit.
Sipas asaj që transmeton ‘BalkanWeb’, prokuroria kishte ngritur ndaj tij akuzën e ‘dhunës në familje’, ndërkohë që seanca gjyqësore e cila drejtohej nga gjyqtari Petraq Curri, u zhvillua me dyer të mbyllura.
Në dëshminë e tij për Policinë, Musaku ka deklaruar se kishte njohje me 30-vjeçaren dhe gëzonin pëlqimin e njëri-tjetrit.
“Erdhi me dëshirën e saj. Nuk e kam marrë forcërisht, po erdhi me dëshirën e saj. Po ta kisha marrë me forcë nuk do ta sillja vetë në komisariat. Kemi njohje me njëri-tjetrin”, tha ai në dëshminë e parë për uniformat blu.
Kështu që pas kundërshtimit nga ana e Ersida Dyrmishit, ai e ka mbajtur forcërisht në një banesë në zonën e Spitallës për 9 ditë me radhë.
30-vjeçarja në krahun tjetër ka deklaruar gjatë dëshmisë në polici se kërcënohej prej Musakut me jetën e 2 fëmijëve dhe bashkëshortit.
Hetimet kanë nxjerre në dritë se Musaku me precedentë penalë e ka mashtruar 30-vjeçaren dhe pasi e ka futur në banesë i ka kërkuar bashkëjetesën me dhunë.