
TIRANË – Partia Demokratike përpara se të shkojë në zgjedhjet lokale, do t’i ushtrohet një procesi që është quajtur zgjedhjet ‘primare’!
Synimi i këtyre zgjedhjeve është për të zgjedhur kandidatin më të mirë që do të kandidojë përballë forcave të tjera politike, në çdo bashki të vendit. Një nga bashkitë më të mëdha padyshim që është Tirana, ku nga ana e Partisë Socialiste duket se Erion Veliaj do të jetë i njëjti kandidat, ndërkohë që në dyert e PD-së kanë filluar të qarkullojnë emra.
Sipas asaj që ka transmetuar sot “BalkanWeb’, do të jenë të paktën pesë kandidatët që do ti nënshtrohen vullnetit të anëtarësisë për të nxjerrë edhe më të votuarin për zgjedhjet e 14 majit.
Kandidati i parë që ka dalë tashmë edhe publikisht përmes intervistave televizive është anëtari i Këshillit Kombëtar, mjeku i njohur Ilir Alimehmeti. I pyetur nëse do të jetë kandidat, ai nuk e përjashtoi. “Nuk mund të konfirmoj diçka për të cilën ende nuk është hapur zyrtarisht aplikimi”, tha Alimehmeti.
Një tjetër emër i përfolur është edhe Belind Këlliçi, deputeti dhe ish kryetari i forumit Rinor të PD-së, i cili ishte ndër të parët që u rreshtua në krah të Berishës një vit më parë kur ky i fundit u përjashtua nga grupi parlamentar i PD-së. I pyetur nëse e konfirmon kandidimin ai tha se “nuk mund të ta jap këtë konfirmim aktualisht pasi jam në konsulta dhe biseda me të gjithë faktorët në parti”.
Ndonëse nuk është lakuar shumë në media dhe ende nuk është artikuluar si Alimehmeti, Këlliçi është duke punuar ngushtësisht me strukturat e PD-së, ndërkohë që Veliajn e ka akuzuar për aferën e inceneratorëve.
Ndërkohë që deputeti Agron Shehaj, ndonëse është lakuar në qarqet mediatike si kandidat, konfirmoi për Balkanëeb se nuk do të jetë pjesë e primareve.
Një tjetër emër i përfolur, që edhe vetë nuk e ka fshehur ambicien për të kandidatuar nga Partia Demokratike në 14 maj në Tiranë, është ish deputeti Gerti Bogdani. Disi i tërhequr publikisht nga jeta partiake, prej kohësh Bogdani ka vënë theksin në rrjetet sociale të problematikave të ndryshme në Tiranë si rrugët me gropa, ajrin e ndotur apo edhe mungesën e pastrimit të qytetetit. Bogdani, ndonëse e lexoi mesazhin, nuk iu përgjigj interesimit nëse do të jetë kandidat.
Përveç emrave të Alimehmetit, Këlliçit dhe Bogdanit, edhe ish-deputeti i PD Fatbardh Kadilli dhe aktori Julian Deda e kanë shprehur dëshirën për të qenë pjesë e primareve me shpresën që do të zgjidhen nga anëtarësia. Kadilli dhe Deda nuk u përgjigjën nëse do të jenë kandidatë.