
PEJË – Kanë dalë sot para gjykatës tre vajzat e qendrës së të moshuarve në Pejë, që ditën e djeshme tronditën mbarë opinionin vendas, me videon e publikuar ku shfaqeshin duke dhunuar një të moshuar dhe duke qeshur.
Në videon e publikuar nga ‘Klan Kosova’, shikohet momenti kur ato shoqërohen nga Policia në korridoret e gjykatës.
Sipas asaj që është transmetuar në media, lidhur me rastin janë arrestuar tre persona, mes tyre e dyshuara e cila shihet duke ushtruar dhunë, përgjegjësja dhe një infermiere tjetër.
Dy të tjerat dyshohen për veprat “Dhënia e ndihmës” në kryerjen e dhunës si dhe “Fotografim apo inçizim i paautorizuar”.
Ndërkohë që Oda e Infermierëve të Kosovës ka vendosur që t’ua tërheqë licencën infermiereve që ishin të përfshira në rastin e rrahjes së të moshuarës në Shtëpinë e Pleqve “Orenda” në Pejë. Ky vendim është marrë pas një takimi urgjent që Oda e Infermierëve të Kosovës mbajti me prokurorinë dhe Këshillin Etik.