
TIRANË– Ish-kryeministri Sali Berisha ka pritur ditën e sotme në zyrën e tij ish-presidentin kroat Stipe Mesiç, e dyta dalje publike pas sulmit që iu bë në protestë.
Berisha i ka rrëfyer kroatit ngjarjen, teksa mësohet t’i ketë thënë kroatit se Shehu është informator i policisë kriminale dhe është përgatitur qëllimisht për të sulmuar atë në protestë.
“Personi i zgjedhur që do më godiste është informator i policisë kriminale, me të cilin është marrë një nga figurat më të zeza të historisë së shtetit shqiptar,”- mësohet të ketë thënë Berisha.
Çfarë ndodhi në protestë?
Gerti Shehu, 31-vjeç sulmoi Berishën, teksa ky i fundit ishte duke marshuar drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të marrë pjesë në protestë. 31-vjeçari goditi me grusht në fytyrë Berishën duke e gjakosur. Ai u ndalua menjëherë nga truprojat e Berishës dhe ndërkohë u dhunua nga mbështetës dhe simpatizantë të PD-së. 31-vjeçari u shoqërua nga policia dhe mori mjekim në spitalin e Traumës, pasi ka dëmtime në fytyrë dhe fraktura në hundë. Oficerët kanë tentuar dy herë për të marrë në pyetje të riun, por për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, ai nuk ka dhënë deri tani asnjë dëshmi. Dyshohet se 31-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor.