
TIRANË – Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, në konferencë për mediat u ka bërë thirrje shqiptarëve që në datën 11 shkurt t’i bashkohen protestës së thërritur nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Berisha ka njoftuar se protesta do të zhvillohet në datën 11 shkurt në orën 12:00 përpara ambienteve të kryeministrisë. Ky do të jetë tubimi i parë që vjen nga forcat opozitare në vendin tonë, pas atij të dhjetorit ku Berisha u godit me grusht.
“Edi Rama të nxjerrë kartelën se ka rrethana lehtësuese. Të nxjerrë dhe bashkëpunëtorët, se ka rrethana lehtësuese”, tha Meta ndër të tjera në fjalën e tij, duke akuzuar për herë të disatë kryeministrin, se paratë e marra nga korrupsioni në Shqipëri i ka përdorur për të ndikuar kundër opozitës.
“Edi Rama është i provuar botërisht se me paratë e korrupsionit ka financuar trafikun e influencës dhe ka shfrytëzuar postin e tij për të mbajtur në mënyrë të paligjshme dhe mafioze pushtetin, duke korruptuar deri edhe një ish-zyrtar të lartë të FBI dhe kompromentuar rëndë marrëdhëniet me SHBA, që për të kanë qenë gjithmonë marrëdhënie aferash dhe jo vlerash.”
“Të gjithë në datën 11 shkurt, në orën 12.00. Le ta dëgjojnë të gjithë zërin e popullit shqiptar në mbrojtje të shtetit të tyre”, përsëriti Ilir Meta në fund të konferencës me gazetarët.