
Ka mbi 1 javë që ekranet dhe faqet e gazetave mbushen me “lajme, analiza dhe diskutime” banale, mbi rastin që nuk ka lidhje fare me ne , me procesin “McGonigal”. Më qesharake, duket debati apo “analiza” kur merren “me të dashurën e McGonigal”. Një kompetent thotë “kështu deklaroi e dashura e tij”, një tjetër “analiste”, gjoja nxjerr detaje nga email-et e saj mbi “marrëdhëniet me Edi Ramën dhe ministrat”. Me turp nuk ka.
Më qesharakë dhe qesharake, nuk më janë dukur kurrë mercenarët e një pjese të mirë të mediave, që po degradojnë dhe manipulojnë opinionin prej vitesh. Dhe kjo natyrisht ka ardhur si pasojë e degradimit të një pjese mesjetare të politikës, që ka mbetur ende edhe sot pas 32 vitesh, në kufinjtë e imagjinatës, kurtheve, folklorizmave, dhe skenareve për dhunë dhe baltosje.
Sa turp, tek dëgjon se si çdo natë (dhe gjithë ditën e Zotit) kapardisen majë poltroneve “specialistët e lajmeve bombastike”. Se si dalin dhe fabrikojnë “detaje nga çështja McGonigal”, parashikojnë se “si do të shkojë procesi hetimor ndaj tij, madje edhe ndaj kryeministrit Rama”, sa vjet do të dënohet ai në SHBA, etj, etj, etj. Dhe idiotësia nuk ka fund, tek shikon dhe dëgjon fjalimet e “non-gratave” të PD, tek merren me “gozhdën” e McGonigal, kur kanë mbi 1001 halle për vehte në Shqipëri.